Paraburgim ndaj të dyshuarit K.E. për lëndim të lehtë trupor, kanosje dhe armëmbajtje pa leje

Paraburgim ndaj të dyshuarit K.E. për lëndim të lehtë trupor, kanosje dhe armëmbajtje pa leje

Ferizaj – 5 qershor 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit K.E. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim t paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri dyshohet se më 3 qershor 2019, në Ferizaj, përkatësisht në shtëpinë e tij, pas një mosmarrëveshje paraprake dhe konflikti verbal lidhur me disa para që i kërkonte të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, i pandehuri e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me grushte në fytyrë nga të cilat goditje e dëmtuara pëson lëndime trupore. Me këtë rast i pandehuri ka kanosur të dëmtuarën edhe me përdorimin e sëpatës, me çka ka shkaktuar frik tek e dëmtuara.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të dyshuar, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.