Dymbëdhjetë (12) vjet burgim ndaj H.S., për vrasje

Dymbëdhjetë (12) vjet burgim ndaj H.S., për vrasje

Ferizaj, 15 qershor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, më 15 qershor 2020 shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.S i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje nga neni 146 të Kodit Penal të Kosovës (KPK), ndërsa i njëjti është liruar nga akuza për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 6, 10 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin e shpalli fajtor për veprën penale vrasje nga neni 146 të KPK-së, për të cilën i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vjet, në të cili dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa në mungesë të provave i pandehuri është liruar nga akuza për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 6, 10 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).

I pandehuri akuzohet se më 21 tetor 2004 në rr. ”Astrit Bytyqi” – Ferizaj, deri sa tani i ndjeri  Sh. N. ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, para dyerve të oborrit nga arma e llojit dhe tipit të panjohur, i akuzuari ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e qëlluar një herë në krahun e majtë, një herë në anën e djathtë të fytyrës, dhe një herë në pjesën e epërme të ballit, nga të cilat plagë të marra Sh.N vdes në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari largohet por në vendin e ngjarjes i mbeten portofoli me dokumente personale.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.