Katër (4) vjet burgim dhe tremijë (3.000) euro gjobë ndaj O.K, për veprat penale të narkotikëve

Katër (4) vjet burgim dhe tremijë (3.000) euro gjobë ndaj O.K, për veprat penale të narkotikëve

Ferizaj, 16 qershor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, më 16 qershor 2020, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit O.K, shtetas i Turqisë, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar, pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale me të cilën e ngarkon akuza, të pandehurin O.K, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej tremijë (3.000) euro.

I pandehuri akuzohet se më 5 janar 2020, në fshatin Bibaj – Komuna Ferizaj, përkatësisht në parkingun e pompës së derivateve, me rastin e ndaljes së veturës – taksi në kuadër të planit operativ nga ana e Drejtorisë së Sektorit Qendror të Hetimeve të Trafikimit me Narkotik, gjatë kontrollit tek i pandehuri i cili ishte pasagjer, është gjetur një çantë në të cilën kishte pasur katër (4) paketime të gatshme për shitje me substancë narkotike të llojit heroinë me peshë 1900.16 gram, të cilat substanca i pandehuri i kishte poseduar në mënyrë të pa autorizuar dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.