Paraburgim ndaj dy (2) të dyshuarve për veprat penale të narkotikëve

Paraburgim ndaj dy (2) të dyshuarve për veprat penale të narkotikëve

Ferizaj 11 tetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit R.M. dh B.R shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa i pandehuri R.M, edhe për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri R.M. dyshohet se nga 10 janar 2020 në Ferizaj, ka furnizuar me substancë narkotike të pandehurin G.H. më pas në afërsi të shtëpisë së tij ka shitur dhe shpërndarë substancën narkotike tek personat e ndryshëm, me ç’rast më 8 tetor 2020 në fshatin Pozhoran, derisa i pandehuri R.M dhe B.R ishin duke bërë shitblerjen e substancës narkotike të llojit heroinë njësia e DHTN në Ferizaj me rastin e bastisjes dhe kontrollit, tek të njëjtit kanë gjetur: dy paketime me peshë 635.1 gram; një paketim me peshë 314.2 gram dhe një paketim me peshë 71.9 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Mustaf Tahiri, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.