Paraburgim ndaj F.L. i dyshuar për kanosje

Paraburgim ndaj F.L. i dyshuar për kanosje

Ferizaj 20 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.L. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale në vazhdim kanosja nga neni 181 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake të Divizionit Penal – Elmaz Zenuni, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj..

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit  të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj,  si dhe rrethanat tjera personale që tregojnë rrezikun se ai mund të përsëris  veprën penale dhe të ndikoj në dëshmitar.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.