Paraburgim ndaj Z.Ç. dhe A.Ç. të dyshuar për vrasje në tentativë

Paraburgim ndaj Z.Ç. dhe A.Ç. të dyshuar për vrasje në tentativë

Ferizaj 8 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.Ç. dhe A.Ç.. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja në tentative nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtarja e procedurës paraprake të Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga Lubishtani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Të pandehuri dyshohet se më se më 19 dhjetor 2020, në Kaçanik, me dashje kanë tentuar të provojnë nga jeta të dëmtuarit A.A dhe K.T., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, meqë i pandehuri Z. me veturën e tij të markës “Mercedes” ka penguar rrugën Runjevë-Kaçanik për qarkullim të dëmtuarit A.A., i cili ishte duke vozitur veturën e tij të markës “Golf VI” në drejtim të fshatit Runjevë dhe me atë rast fillon përleshja, fillimisht të pandehurit A. dhe L., të cilët ishin në veturën e të pandehurit Z., shkojnë afër veturës së të dëmtuarve dhe e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin K. duke e goditur me grushta, e më pas e godasin edhe me një mjetë të mprehtë-thikë në pjesën e shpinës, ndërsa i pandehuri Z. sulmon me mjetë të mprehtë-thikë në pjesën e pasme të kraharorit në anën e majtë të dëmtuarin A., me ç ‘rast si pasojë e këtyre goditjeve të dëmtuarit janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore fillimisht në QKMF në Kaçanik, ndërsa i dëmtuari A. detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore edhe në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas edhe në QKUK.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, duke vlerësuar se po të gjenden në liri të pandehurit mund të asgjësoj, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprës penale apo të ndikojnë në dëshmitë e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve tjerë dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.