Paraburgim ndaj R.N. i dyshuar për kanosjen e prokurorit

Paraburgim ndaj R.N. i dyshuar për kanosjen e prokurorit

Ferizaj 21 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.N. shtetas i Maqedonisë se Veriut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal Shabi Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kanosur Prokurorin e Shtetit lidhur me punën e tij zyrtare, pastaj duke e vazhduar kanosjen edhe tek anëtarët e familjes se tij, duke i dërguar sms-mesazhe ne vazhdimësi me përmbajtje kërcënuese, andaj bazuar në dispozitat e KPPRK-së, vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve tjerë, ndërsa meqë i dyshuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut, ekziston edhe mundësia e arratisjes apo ikjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më  03.02.2020 dhe 13.02.2020, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, e kanos të dëmtuarin Prokurorin e Shtetit përmes telefonit që i përket operatorit mobil të shtetit të Maqedonisë Veriore, si dhe duke përdorur edhe numrat e telefonit nga operatorit zviceran, duke i dërguar sms-mesazhe me përmbajtje kërcënuese lidhur me punën e tij zyrtare, në atë mënyrë që duke kërkuar nga i njëjti me fjalët: që të lirohet komandanti Xh.Zh, “te ti do të fillon të pamet” ja përmend djemtë A. dhe A.1. që është në Zvicër,  po ashtu ka vazhduar duke i dërguar sms me përmbajtje kërcënuese edhe djalit të Prokurorit A.M., duke i shkruar se unë jam I.J.: “nëse deri të Ejten në ora 16 nuk lirohet Komandant Xh.Zh. baba yt ju past ne qaf juve dhe familjen po ashtu edhe veten e vete, Apot non Mercedes ai kryte pllakat te ndërtesa mbrapa L.. Urime banesa e re shifmi shpejt e nanës tanë ngushëllime.” me ç’rast ka shkaktuar shqetësim ,frikë dhe pasiguri tek i dëmtuari dhe anëtarët e familjes së tij .

Andaj bazuar në dispozitat e KPPRK-së, gjyqtari vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve tjerë, ndërsa meqë i dyshuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut, ekziston edhe mundësia e arratisjes apo ikjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.