Paraburgim ndaj katër (4) të dyshuarve për vjedhje të rëndë në vazhdim

Paraburgim ndaj katër (4) të dyshuarve për vjedhje të rëndë në vazhdim

Kaçanik 24 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.B., B.G., A.H dhe Ç.L. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në vazhdim dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë nga neni 315 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 lidhur me nenin 77 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer katërmbëdhjetë (14) vjedhje të rënda, përkatësisht të pandehurit në vende dhe kohë të ndryshme kryesisht në shtëpi, lokale dhe ordinanca, pas marrëveshjeve paraprake në mes tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme që vetës t’i sjellin dobi pasurore, me përdorimin e forcës dhe duke eliminuar pengesat, më 17.09.2020 kanë arritur të vjedhin një televizor “Samsung”, cigare në vlerë prej treqind (300) euro dhe gjashtëdhjetë (60) euro para të metalta; më 27.11.2020 kanë vjedhur tridhjetë (30) telefona të markave të ndryshme në vlerë prej dymijë (2.000) euro; më 24.12.2020 kanë arritur të vjedhin një çantë ngjyre e zezë me vlerë të pa përcaktuar nga i dëmtuari; më datë 09.01.2021 një (1) sef  të metaltë në vlerë prej pesëdhjetë (50) euro, një gotë në të cilën kanë qenë të vendosura dyqindegjashtëdhjetepesë (265) euro; më 14.01.2021, kanë vjedhur sasi të llojeve të ndryshme te cigareve dhe një sef të metaltë, ku brenda kane qenë të vendosura shuma prej pesëqind (500) eurove; më 16.01.2021, kanë arritur të vjedhin një kompjuter, thika dhe një palë këpuca në vlerë të pa përcaktuar; më 16.01.2021, kanë arritur të vjedhin një lap-top në vlerë prej 200 euro; më 28.12.2020, kanë vjedhur shumën e të hollave të metalta në vlerë prej katërdhjetë – pesëdhjetë (40-50) eurove, si dhe në një tjetër rast shumën e të hollave të metalta dhjetë – pesëmbëdhjetë (10-15) euro; më 05.01.2021, kanë arritur të vjedhin një sëpatë vlera e pa-përcaktuar nga i dëmtuari.

Gjyqtari i procedurës paraprake Riza Livoreka, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.