Paraburgim ndaj P.S. për vrasje në tentativë

Paraburgim ndaj P.S. për vrasje në tentativë

Ferizaj 20 prill 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit P.S.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 18 prill 2021, në një fshat në Komunën Shtërpcë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin M.T., në atë mënyrë që pas një fjalosje, e cila kishte ndodhur derisa të njëjtit gjendeshin në shitoren e fshatit, i pandehuri paraprakisht del nga lokali, merr një shkop druri (bisht sëpate) dhe pret në anën e kundër të rrugës, derisa i dëmtuari del nga lokali dhe niset në drejtim të fshatit, i njëjti e godet dy herë me shkop druri në pjesën e kokës, me ç ‘rast si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari rrëzohet në tokë dhe pëson lëndime trupore, për çka më pas dërgohet për ndihmë mjekësore fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas edhe në Spitalin e Graqanicës,.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme, për sigurimin e prezencës se të pandehurit në procedurë dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.