Paraburgim ndaj I.T. i dyshuar për dhunë në familje

Paraburgim ndaj I.T.  i dyshuar për dhunë në familje

Ferizaj 16 qershor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.T. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Habib Zeqiri, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 14.06.2021, në shtëpinë e tyre në Ferizaj me dashje me qëllim të shkaktimit të lëndimit të lehtë trupor, si pasojë e mosmarrëveshjes paraprake rreth një telefoni e godet të dëmtuarën -nëne e tij fillimisht me dy shuplaka në fytyrë si pasojë e së cilës alivanoset, mirëpo pasi i kthehet vetëdija në momentin e ngritjes, i pandehuri tenton ta godet motrën e tij dhe me këtë rast reagon e dëmtuara, me ç’rast prapë e godet të njëjtën me grusht në fytyrë si pasojë e kësaj goditje pëson lëndime trupore .

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit as dëshmitarët tjerë të mundshëm dhe të dëmtuarit, andaj mbi këto arsye vlerëson se po të gjendej në liri mund të ndikojë tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.