Refuzohet kërkesa e prokurorisë për caktimin e paraburgimit

Refuzohet kërkesa e prokurorisë për caktimin e paraburgimit

Ferizaj 15 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.A.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), i njëjti lirohet në procedurë të rregullt.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal – Mimoza Shabani, ka vërtetuar faktin se i dyshuari se i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të dëmtuarve S.N. dhe A.N. për shkak të një mosmarrëveshje të atëçastshme që kishte ndodhur në një kafiteri në Ferizaj, ku e dëmtuara S. ishte me vajzën e hallës së saj, pastaj vjen edhe vëllai i saj A.N. ku të njëjtit në orën e dorës iu kishin kapur flokët e bashkëshortes së të pandehurit dhe kishte filluar përleshja mes tyre, ku i dëmtuari me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin A. duke e kafshuar me dhëmbë në pjesën e majtë të trupit, ndërsa të dëmtuarën e godet me mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – shishe e xhamit duke e goditur në dorën e saj të djathtë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, e cila gjatë seancës dëgjimore është ndryshuar në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, e ka vlerësuar si të pa bazuar.

Gjykata vlerëson se në këtë rast, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, si kusht themelor për caktimin e masës së paraburgimit si dhe edhe po të përmbushej ky kusht prapë nuk do të ishin përmbushur kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale, pasi për caktimin e masës së paraburgimit kërkohet që në mënyrë kumulative të plotësohen kushtet e përcaktuara me KPPRK. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.