Paraburgim ndaj Xh.P. i dyshuar për veprën penale mashtrimi

Paraburgim ndaj Xh.P. i dyshuar për veprën penale mashtrimi

Ferizaj 15 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Xh.P. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri nga data 13.11.2020 deri më 12.02.2021  në vende  të  ndryshme  duke  vepruar  në vazhdimësi dhe në bashkëveprim me të dyshuarin D.R. i cili gjendet  në arrati,  përmes  paraqitjes  së rreme  të fakteve  dhe  me  veprime mashtruese duke u paraqitur si persona me ndikim dhe si truproje  të  ministrit si dhe  si menaxher të KEK,  i premtojnë  të  dëmtuarit L.G. se do ta  punësojnë  atë dhe  djalin e tij në KEK apo në PTK dhe në këtë mënyrë e vënë në lajthim të  dëmtuarin  duke e nxitur që të veprojë në dëm të pasurisë së  tij, në atë mënyrë që i njëjti ua paguan  shumën e  tërësishme  prej 10,000  euro  në emër  të punësimit  në KEK..

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.