Dymbëdhjetë muaj burgim, për veprën penale sulmi

Dymbëdhjetë muaj burgim, për veprën penale sulmi

Ferizaj, 1 dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit R. R. i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale sulmi nga neni 184 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgim efektiv në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj.

Gjykata gjithashtu i shqipton edhe dënim plotësues, Masën e Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik – Ambulator, kjo masë ekzekutohet brenda një (1) viti dhe kryhet brenda kohës së dënimit të shqiptuar.

I pandehuri akuzohet më 18 tetor 2021, rreth orës 08:00, në rrugën “Kruja” në Ferizaj, saktësisht në shtëpinë e tyre, në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore, me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarit – prindit  të tij,     Sh. R., në atë mënyrë që i pandehuri me të zgjuar nga gjumi fillimisht fillon të bëjë zhurmë, dhe me atë rast me të dëgjuar i dëmtuari del në korridor për të shikuar se çfarë është duke ndodhur, në atë moment i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e kap për fyti, mirëpo aty reagon motra e tij dhe arrin të largohet i pandehuri.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.