Dy vjet e pesë muaj dënim burgimi ndaj zyrtarëve policorë

Dy vjet e pesë muaj dënim burgimi ndaj zyrtarëve policorë

Ferizaj, 14 maj 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve A.R.1, A.R.2, dhe M.B., zyrtarë policorë dhe shtetas të Republikës së Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, si në vijim:

A.R.1, për shkak të veprave penale në bashkëveprim si bashkekzekutor keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së; veprën penale në bashkëveprim si bashkekzekutor lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 7 nën paragrafi 7.1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.3 dhe neni 31 të KPRK-së; veprën penale në bashkëveprim si bashkekzekutor lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

A.R.2, për shkak të veprave penale në bashkëveprim si bashkekzekutor keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së; veprën penale në bashkëveprim si bashkekzekutor lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 7 nën paragrafi 7.1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.3 dhe neni 31 të KPRK-së; veprën penale në bashkëveprim si bashkekzekutor lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

M.B., për shkak të veprave penale në bashkëveprim si bashkekzekutor keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së; veprën penale në bashkëveprim si bashkekzekutor lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i përgjithshëm, përkatësisht gjyqtari i vetëm gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurit: A.R.1, e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti; A.R.2, e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti; M.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëqind e pesëdhjetë (150) ditëve, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Ndërkaq, ndaj të pandehurit M.B., është marrë aktgjykim lirues për shkak se nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ta ketë kryer veprën penale në bashkëveprim si bashkekzekutor lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 7 nën paragrafi 7.1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.3 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të pandehurit A.R.1, A.R.2, M.B., akuzohen se më datë 6 tetor 2019, rreth orës 21:25 minuta në Stacionin Policor në Shtime, duke keqpërdorur detyrat dhe autorizimet, i kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarve D. H. dhe A. A., në atë mënyrë që në momentin që i ndalin, kur i dëmtuari A. A. ishte duke e drejtuar automjetin e tij në qytet me një shpejtësi të rrezikshme e urdhërojnë që të shkoj pas automjetit të policisë në Stacionin Policor në Shtime dhe kur arrin në oborr të stacionit, për t`u sqaruar me oficerët e policisë, këta të fundit pa paralajmërim dhe në kundërshtim me autorizimet ligjore dhe rregullat e tjera të policisë fillojnë të godasin me shuplaka, grushte dhe shqelma të dëmtuarin D. H., deri sa bie në tokë, e më pas me shuplaka grushte dhe shqelma fillojnë të godasin edhe të dëmtuarin A. A., pasi që del nga vetura dhe shkon në drejtim të oficerëve policorë. Të dy të dëmtuarit i prangosin dhe fusin në zyrën për intervistimit dhe aty vazhdojnë të godasin me grushte e shqelma, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.