Njëzet e dy vite e shtatë muaj burgim si dhe pesëmijë e pesëqind euro gjobë për veprat penale kundër jetës dhe trupit

Njëzet e dy vite e shtatë muaj burgim si dhe pesëmijë e pesëqind euro gjobë për veprat penale kundër jetës dhe trupit

Ferizaj, 7 korrik 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve; L.M., A.B., E.B., R.J., M.A., shtetas të Republikës së Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, si në vijim:

L.M., për shkak të veprës penale vrasja nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

A.B., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

E.B., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje pjesëmarrja në rrahje nga neni 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

R.I., për shkak të veprës penale kanosja nga neni 181 paragrafi 1 të KPRK-së; veprës penale moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre nga neni 378 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

M.A., për shkak të veprës penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 paragrafi 2 nën paragrafi 2.2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, për veprën penale të kryer me datë 4 shtator 2020 në Ferizaj në Rr. “Wesley Clark” ku është privuar nga jeta tani i ndjeri B.Q., të pandehurin: L.M., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatëmbëdhjetë (17) vite, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin A.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vite e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin E.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vite e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin R.J., e shpalli fajtor për shkak të veprës penale kanosja nga neni 181 paragrafi 1 të KPRK-së dhe të njëjtin e gjykoi me dënim gjobë në shumë prej pesëmijë e pesëqind (5.500) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; ndërkaq, i njëjti është liruar nga akuza për shkak se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre nga neni 378 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). të pandehurin M.A., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatë (7) muaj. Të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Të pandehurit L.M., A.B., E.B., R.J., M.A., akuzohen për shkak të veprave penale të lartshënuara Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të akuzuarit L.M., i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me këtë aktgjykim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.