Paraburgim ndaj F.E., i dyshuar për veprën penale dhunimi

Paraburgim ndaj F.E., i dyshuar për  veprën penale dhunimi

Ferizaj, 20 shtator 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.E., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.2 dhe 4.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri më datë 16 shtator 2022, nga stacioni i autobusëve në Suharekë, nën kërcënim merr me veturë të dëmtuarën B.G., dhe sjell në Ferizaj, me ç ‘rast së pari hyjnë në një lokal ku me dashje me anë të alkoolit shkakton dehjen, pastaj të njëjtën e dërgon në një motel në magjistrale Ferizaj – Prishtinë dhe aty përdorë dhunë fizike si dhe pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.