Caktohet masa e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve për veprën penale grabitja

Caktohet masa e paraburgimit ndaj katër të dyshuarve për veprën penale grabitja

Ferizaj, 3 mars 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve si vijon:

Xh.S., i dyshuar për shkak të gjashtë veprave penale në bashkëkryerje grabitja nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.

Sh.R., i dyshuar për shkak të tre veprave penale në bashkëkryerje grabitja nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

M.B., i dyshuar për shkak të veprës penale në bashkëkryerje grabitja nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

F.G., i dyshuar për shkak të dy veprave penale në bashkëkryerje grabitja nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.

Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër katër (4) të dyshuarve: Xh.S., Sh.R., M.B. dhe F.G., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.