Vazhdon monitorimi i Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025

Vazhdon monitorimi i Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025

Ferizaj, 20 mars 2023 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala dhe eksperti nga USAID-i, John Ferry, të cilët kanë vizituar Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe kanë takuar gjyqtarët e kësaj gjykate.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025, si dhe sfidat dhe detyrimet që burojnë nga ky Plan Strategjik.

Në këtë takim, morën pjesë edhe gjyqtarët mbikëqyrës të degëve, udhëheqësi i Departamentit të përgjithshem dhe gjyqtarët përgjegjës të Divizionit penal dhe civil.

Kryetari i gjykatës, u zotua para Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, se do të trajtojnë me prioritet të gjitha lëndët që janë në fokus të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025. 
Kryetari Tahiri, gjithashtu, ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe angazhimit të tyre, me qëllim që përmes prioriteteve të përbashkëta të arrihet ngritja e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.