Paraburgim ndaj F.I., i dyshuar për veprën penale vrasja në tentativë

Paraburgim ndaj F.I., i dyshuar për veprën penale vrasja në tentativë

Ferizaj, 5 maj 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ilir Bytyqi, ka vlerësuar ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më datë 29 prill 2023 duke lëvizur me veturën e tij në një rrugë të Ferizajt, në momentin kur ishte ofruar përballë një lokali, e vëren të dëmtuarin V.I., në trotuar duke ecur në drejtimin e kundërt të lëvizjes, me të cilin ishin në hasmëri, pastaj e rrit shpejtësinë e lëvizjes dhe me dashje që ta privoj nga jeta e godet direkt me pjesën e përparme të automjetit dhe e përplas në objekt të lokalit, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.