Në mungese te provave lirohet nga aktakuza për grabitje

Në mungese te provave lirohet nga aktakuza për grabitje

Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot e enjte 23.07.2015, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit Burim Rexhepi, për veprën penale grabitja në tentativë, nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në këtë çështje gjyqësore u mbajtën tri seanca gjyqësore me ç’rast u paraqitën provat e propozuara nga ana e Prokurorit të Shtetit, e në përfundim të shqyrtimit gjyqësor,  Kryetari i Trupit Gjykues Agim Maliqi, arsyetoi në pika të shkurtra aktgjykimin e shpallur, duke vlerësuar të gjitha provat që u paraqitën në këtë shqyrtimin gjyqësor dhe sipas trupit gjykues nuk u vërtetuan pretendimet e aktakuzës se i akuzuari ka kryer veprën penale në fjalë.

 

Ndryshe, sipas pretendimeve të Prokurorit të Shtetit, por të cilat nuk u vërtetuan nga Gjykata përtej dyshimit të bazuar, se i pandehuri Burim Rexhepi, më 21 qershor të 2014 në filialin e Uester Union, që gjendet në rr. 12 Qershori”, në Shtime, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë së luajtshme të personit tjetër, me anë të kanosjes serioze duke përdorur sprejin në drejtim të saj, se do të sulmojnë jetën dhe trupin e të dëmtuarës E.R, ka tentuar të bëjë grabitjen, në atë mënyrë që fillimisht ka kërkuar të hollat pastaj ka provuat të hapë derën e cila ndanë banakun ku janë parat nga pjesa tjetër e hapësirës në lokalë, meqenëse dera ishte e mbyllur i pandehuri nuk ka mundur të depërtojë pastaj viktima ka thirrur për ndihmë dhe ka shtypur butonin sinjalizues, pastaj i pandehuri është larguar në drejtim të panjohur, me çka ka kryer veprën penale grabitje në tentativë nga neni 329 par. 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.