Kryetari i trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, të premten 18 shtator 2015, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit I. A nga Ferizaj, ish drejtor i Qendrës Rajonale në Ferizaj – Agjensionit Pyjor të Kosovës, i cili në bazë të nenit 364 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPK-së, është liruar nga akuza, meqë është konstatuar se veprimet e të pandehurit për të cilat akuzohet se i ka kryer, nuk përbejnë vepër penale. Kryetari i trupit gjykues në arsyetimin e dhënë ka theksuar se: i akuzuari me tejkalimin e kompetencave nuk ka pas për qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror për vete ose për tjetrin, gjithashtu me këto veprime i akuzuari nuk ka pasur qëllim dhe dashje që të shkaktoi dëm tjetrit.
I pandehuri I. A u lirua nga akuza e ngarkuar se: më datën 08.09.2004, në Ferizaj në cilësinë e personit zyrtar shef i zyrës regjionale të APK-së në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat zyrtare duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit F. H si dhe duke ju bërë favore punëtoreve të APK-së e në kundërshtim me ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësisë numër 2003/2 udhëzimi administrativ për pagesat e punëtorëve me kontratë mbi vepër numër 2005/9 dhe rregullores 2004/52 mbi tatimet dhe të ardhurat personale në atë mënyrë që i pandehuri ka marr vendim për dhënien e pëlqimit për shfrytëzimin e përkohshëm të tokës pyjore me numër 389/4 në zonën kadastrale Nerodime e Epërme K. Ferizaj, dhe në ngastrat kadastrale 1156 , 1161, 1163 dhe 1867 ne sipërfaqen prej 3.98.80 hektarë ku ne baze te vendimit MPBZHR ka lidh kontratë mbi qiranë me qira marrësin – te dëmtuarin Faton Hyseni ne periudhën kohore 5 vjeçare në atë mënyrë qe i pandehuri me datën 27.06.2005, ka pranuar qe Faton Hyseni te paguaj ne arkën e APK-së ne Ferizaj shumen prej 10.761.0 euro, ku nga këto para 4.508.00 euro, i ka shpërndarë gjegjësisht i ka paguar punëtorët te cilët kane lidh kontrate mbi vepër ndërsa pjesa tjetër 6.291.00 euro, janë dorëzuar ne buxhetin e konsoliduar te Kosovës me date 04.07.2005”, me çka ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit nga neni 339 par. 3 lidhur me par 1 te KPK-së. Ndërkohë në bazë të nenit 364 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPK-së, lirohet nga akuza, sepse vepra për të cilën i akuzuari është akuzuar, nuk përben vepër penale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.