Gjykata Themelore në Ferizaj, të premten më 18 dhjetor 2015, ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2015, më ç’rast janë publikuar raportet dhe statistikat e punës, por edhe objektivat e arritura për këtë periudhë raportuese.
Kryetari i Gjykatës Themelore, Bashkim Hyseni, para të pranishmëve ka folur për të arriturat, sfidat, planet dhe objektivat përgjatë këtij viti.
“Gjatë këtij viti është kryer punë e konsiderueshme në të gjitha departamentet, megjithatë prioritet i yni ka qenë shkurtimi i kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, ngritja e cilësisë së shërbimeve gjyqësore me theks të veçantë cilësia e vendimeve, implementimi i strategjisë për reduktimin e lëndëve të vjetra si dhe procedimi sa më i shpejt i lëndëve me natyrë korruptive”
Duke folur për Departamentin për Krime të Rënda, kryetari i Gjykatës tha se ”Ky Departament gjatë këtij viti ka arritur nga gjithsej 449 lëndë sa kanë qenë në punë t’u jap zgjidhje 229 prej tyre, ndërkohë që kanë mbetur të pakryera 220, ku një pjesë e madhe e tyre, personat e akuzuar ose kanë ndryshuar vendbanim ose kanë letër rreshtime qendrore ose ndërkombëtare”, ka thënë Hyseni
Kryetari Hyseni, para mediave paraqiti edhe të dhënat statistikore sa i përket raportit statistikor të punës së Gjykatës për vitin 2015. Sipas këtij raporti Gjykata Themelore në Ferizaj, së bashku me Degët në Kaçanik dhe Shtërpcë, për periudhën janar – nëntor 2015, ka pranuar gjithsejtë 6.128 lëndë, ka kryer 8.654 lëndë, ndërkaq lëndë të mbetura në punë janë 21.197. Sa i përket Departamentit të Përgjithshëm – Divizionit për Kundërvajtje, gjykata gjatë këtij viti ka trashëguara 41.853 lëndë, ka pranuar 31.826 lëndë, ka kryer 35.196 lëndë ndërkohë që lëndë të pakryera kanë mbetur 38.483 lëndë.
Kryetari i Gjykatës po ashtu si të arritur të këtij viti përmendi numrin e madh të lëndëve të kryera, të parapara sipas Strategjisë për reduktimin e lëndëve të vjetra, ku nga 3.000 lëndë sa kanë qenë të evidentuara si të vjetra në Departamentin për Krime të Rënda dhe atë të Përgjithshëm, gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 2.089 prej tyre, ndërkohë në Departamentin për Krime të Rënda lëndë të pakryera të vjetra kanë mbetur 41, në Divizionin penal kanë mbetur 344, ndërkaq në Divizionin Civil 507 lëndë. Me këtë rast po ashtu u theksua fakti se Gjykata Themelore në Ferizaj u ka dhënë prioritet të veçantë lëndëve të natyrës korruptive, ku nga 109 raste sa kanë qenë të evidentuara në Gjykatë nga viti 2012 e deri në nëntor të vitit 2015, janë zgjidhur 81 lëndë, ndërkaq në punë kanë mbetur 28 prej tyre.