Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti i Krimeve te Renda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit të evidentuar si: PPS.nr.39/14 të datës 16.03.2016, në çështjen penale kundër të pandehurit F.R, shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rekrutim në terrorizëm nga neni 139 të KPRK-së, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par.2 të KPRK-së, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 të KPRK-së dhe shtytja për kryerjen e veprave penale terroriste nga neni 141 të KPRK-së, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, ndaj të pandehurit, nga data e arrestimit 16.03.2016 e deri më datën 15.04.2016 në ora 08:00.
Pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Masa e paraburgimit është caktuar konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 , 1.2.2 dhe 1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Po ashtu me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.