Kryetari aktual i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, është emëruar kryetar i Gjykatës edhe për një mandat katër vjeçar, pas votimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të datës 20.12.2016, i cili nga njëmbëdhjetë (11) vota të anëtarëve, ka marr gjithsejtë dhjetë (10) vota, ndërkaq një (1) ka abstenuar. Për kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj, z.Hyseni ishte në garë bashkë me gjyqtarin e kësaj gjykate z.Elmaz Zenuni.
Bashkim Hyseni ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës në vitin 2002. Studimet postdiplomike i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Juridik Drejtimi Penal. Gjithashtu ka përfunduar Programin Master në të Drejtën Amerikane në njërin ndër fakultetet më prestigjioze në SHBA – Fakultetin Juridik të Universitetin Wake Forest në Karolinën e Veriut – SHBA. Nga gushti i vitit 2002 deri në gusht të vitit 2003 ka qenë praktikant në Gjykatën Komunale në Ferizaj, ndërsa për dy vitet e ardhshme punoi si oficer në Shërbimin Doganor. Punës në gjykatë i’u kthye në shkurt të vitit 2005 si Bashkëpunëtor Profesional për një vit. Nga viti 2006 Hyseni u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj deri në vitin 2010, kur dhe u zgjodh kryetar i kësaj gjykate. Me reformimin e strukturës së sistemit gjyqësor kryetari Hyseni me datën 1 janar 2013 u emërua në detyrën e kryetarit, ndërkaq më 20.12.2016, pas votimit në KGJK, të njëjtit i është vazhduar mandati edhe për katër vite të tjera 2017 – 2020.