Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, më 25 janar 2017, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit S.M i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të EULEX, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimeve gjyqësore, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare si dhe pranimin e fajësisë nga i akuzuari S.M për veprën penale ushtrimi i ndikimit, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e dy(2) muaj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të EULEX-it, i pandehuri S.M akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit B.V dhe A. M, gjatë vitit 2012 – 2013, në Ferizaj me dashje kanë kërkuar dhe pranuar oferta të përfitimit të padrejtë për veten ose tjetrin dhe atë njëherë në shumën prej 25,000, dhe një herë në shumën prej 40.000 euro, me qëllim të ushtrimit të ndikimit mbi vendimmarrjen e një personi zyrtar. Në atë mënyrë që të sigurohet lirimi i personit B.S nga paraburgimi ose të sigurohet që ai mos të dënohet apo të vuaj dënimin me burgim .
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.