Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt të evidentuar si PP.nr.31/17 të datës 21.02.2017, për caktimin e masës së paraburgimit prej një (1) muaji, ndaj të pandehurit D.K. I pandehuri dyshohet se me datë 20.02.2017, pas një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij ka sulmuar me thikë fëmijët e tij binjak, duke e privuar nga jeta njërin, ndërsa i ka shkaktuar lëndime të rënda fëmijës tjetër.
Me këto veprime i pandehuri D.K. dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragraf 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, dukë filluar nga data e arrestimit 20.02.2017, dhe do të zgjas deri më 19.03.2017.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.