Paraburgim ndaj të dyshuarit për shantazh

Paraburgim ndaj të dyshuarit për shantazh

Ferizaj – 22 qershor 2018 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, të evidentuar si: PP/II.nr.1253-6/18, të datë 22 qershor 2018 për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit L.A shtetas i Republikës së Kosovës. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shantazhi nga neni 341 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri L.A. dyshohet se më 21 qershor 2018, ka shantazhuar të dëmtuarën K.V, duke i kërkuar dyqind (200) euro në këmbim të telefonit të saj të cilin ditë më parë i kishte marr dhe në rast se nuk e siguron këtë shumë të parave do t’i publikojë në “Youtube” disa foto të cilat janë në telefon të të dëmtuarës, me këto veprime i pandehuri L.A dyshohet se ka kryer veprën penale shantazhi nga neni 341 paragrafi 1 të KPRK-së,

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, konform nenit 187 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.