Mesazh nga Kryetari i Gjykatës
Sistemi gjyqësor i Kosovës në vitet e fundit ka kaluar reformën me të thellë strukturore dhe gjithëpërfshirëse në historikun e tij. Si rrjedhojë në bazë të Ligjit mbi Gjykatat është themeluar Gjykata Themelore në Ferizaj nga 1 janar 2013, e cila në aspektin gjeografik mbulon regjionin e Ferizajt. Reformimi ishte sfidues për faktin se, shënonte rritjen e juridiksionit në aspektin lëndor dhe territorial andaj, është nevojitur një organizim i mobilizuar i gjyqtarëve dhe i tërë stafit mbështetës për të përballuar me efikasitet këtë rritje të përgjegjësive dhe kompetencave. Gjatë kësaj periudhe kemi arritur t’u japim zgjidhje një numri të madh të çështjeve që kanë të bëjnë me krime të rënda, çështje tjera penale, civile dhe kundërvajtjeve.
Objektivat kryesore janë: reduktimi i kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, ngritja e cilësisë së vendimeve gjyqësore, rritja e transparencës dhe besueshmërisë.
Zhvillimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore në kohe sa më të arsyeshme. Ngritja e cilësisë së vendimeve gjyqësore, në mënyrë që vendimet të kenë arsyetimet e mjaftueshme, përmbajtësore, kualitative dhe të jenë në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare, tani më të etabluara në sistemin tonë juridik. E drejta për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar, konsiderohet pjesë përbërëse dhe e pandarë e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, pasi duke dhënë një vendim të arsyetuar njëkohësisht mundësohet monitorimi publik i drejtësisë.
Rritjen e vazhdueshme të transparencës dhe besueshmërisë te qytetarët, duke informuar me kohë dhe objektivisht për të gjitha aktivitetet e gjykatës, të vetëdijshëm se një publik i mirinformuar është më tepër i besueshëm.
Përfundimisht, jemi të përkushtuar që procesin e drejtësisë ta bëjmë më të shpejtë, më cilësor dhe më të besueshëm.