Caktohet masa e paraburgimit ndaj T.Z, ndërkaq arrest shtëpiak ndaj N.Z, për veprën penale vrasje në tentativë dhe pjesëmarrja në rrahje

Caktohet masa e paraburgimit ndaj T.Z, ndërkaq arrest shtëpiak ndaj N.Z, për veprën penale vrasje në tentativë dhe pjesëmarrja në rrahje

Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj PP/I.nr.34-2/16 të datës 06 prill 2016 në çështjen penale kundër të pandehurit T.Z , shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës, nga Komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe kundër të pandehurit N.Z, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje nga neni 190 paragrafi 1 të KPRK-së .

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të parë T.Z, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, dukë filluar nga data e arrestimit 06.04.2016 dhe do të zgjas deri më 05.04.2016 në ora 09.30

Ndërkaq sa i përket kërkesës së prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj N.Z, gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën, ndërkaq konform nenit 183 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 të KPPRK-së, ndaj të njëjtit ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe  masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.