Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, të martën 12 prill 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit S.I, shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës nga Komuna – Hani i Elezit, i cilit në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, akuzohet se ka kryer veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës” nga neni 3 paragrafi 4 të Ligjit për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, si dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe për këtë, u gjykua me dënim unik burgimi në kohëzgatje prej shtatë (7) muaj si dhe dënim me gjobë në shumë pre tetëqind (800) €.
Trupi gjykues në këtë rast, konform nenit 367 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka marr aktvendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe atë menjëherë më datë 12.04.2016.
I pandehuri akuzohet se : “në mënyrë publike, me anë të shkrimeve, xhirimeve duke përfshirë dhe mos u kufizuar në rrjetin social nxit të tjerët që të kryejnë vepër penale të përcaktuar në paragrafin 3 të nenit 3 për Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit në atë mënyrë që i pandehuri si anëtar në grupin Facebook, dhe përmes profilit të tij personal prej muajit maj deri në fund të muajit nëntor 2015, në shkrimet, postimet dhe komentet e tij i lartëson dhe i madhëron personat që luftojnë përkrah ISIS-it si “Trima të vërtet”, “Luana me mjekër”, “Se të gjithë myslimanët e vërtet janë ISIS”, “Unë jam ISIS”, “Vetëm ISIS-i mund të çliroj shqiptarët nga serbo sllavët Maqedon” “ISISI do ta çliroj edhe Kosovën”, “ISIS-in do ta presim me lule”, “Mirëseardhshin”, “Insha-Allah ia fillojnë edhe në Kosovë sa më parë”, duke i nxit me këto shkrime në këtë mënyrë persona apo grupe të personave që t’iu bashkohen formacioneve të armatosura të Organizatës Terroriste ISIS”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.