Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, të mërkurën 11 maj 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit H.B, shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës nga Komuna – Hani i Elezit, i cilit në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Ferizajt, akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPRK-së si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pas pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar , u gjykua me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vite.
I pandehuri akuzohet se : “në muajin shkurt 2016 rreth, në shtëpinë e tij, me dashje direkte e ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij, F.B, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje verbale e të akuzuarit dhe tani të ndjerës, i akuzuari shkon në podrumin e shtëpisë së tij dhe merr pistoletën e tij me nr.serik ET-10100046, dhe ka shtënë në drejtim të viktimës ku herën e parë predha nuk shkrep dhe bie në dysheme, ndërsa katër plumbat e radhës i shkrep në kokën e të ndjerës ku si pasoje e këtyre goditjeve shkaktohet gjakderdhje dhe viktima ndërron jetë menjëherë.
Konform nenit 374 paragrafi 3 i KPRK-së, arma e sekuestruar revolja me nr. serik ET-10100046, modeli i papërcaktuar, konfiskohet në mënyrë të përhershme.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.