Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, më 19 janar 2017, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit B.Sh i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimeve gjyqësore, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave dhe fjalëve përfundimtare, ndaj të akuzuarin B.Sh për veprën penale ushtrimi i ndikimit, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) muaj.
I pandehuri B.Sh, akuzohet se në janar të vitit 2014, në cilësinë e personit zyrtar – polic patrullues, ka kërkuar dhuratë për vete dhe personin tjetër në shumë prej 200 euro, nga i dëmtuari B.Sh2, me qëllim që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, policit hetues N.G, që të ndihmoi të dyshuarin të mos ushtrohet kallëzimi penal apo të ndihmohet në ushtrimin e kallëzimit penal, i cili ishte ngarkuar me çështjen penale vjedhje e rëndë , kundër të akuzuarit B.Sh, L.M dhe E.H, duke premtuar me këtë rast se do t’i ndihmoi në këtë çështje penale edhe pse ndikimi në personin zyrtar nuk është realizuar.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.