Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe avancimit të proceseve brenda përgjegjësive të ndërsjella si dhe për tu njohur me rezultatet e punës, sfidat dhe rezultatet e punës së Gjykatës, kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, z. Bashkim Hyseni, ka pritur sot në vizitë ministren e Drejtësisë, znj.Dhurata Hoxha me bashkëpunëtorë të tjerë.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bashkim Hyseni, tha se gjatë këtij takimi, ka informuar ministren Hoxha për rezultatet, aktivitetet dhe sfidat e Gjykatës Themelore në Ferizaj.” Ishte një mundësi e mirë e diskutimit për procesin e reformimit legjislativ. Ne si gjykatë kemi dhënë disa propozime për t’u amandamentuar Kodet Penale( procedurale dhe materiale) dhe për t’u amandamentuar disa ligje të natyrës civile, pasi konsiderojmë se praktika gjyqësore ka treguar se disa dispozita janë të ngurta, nuk ofrojnë fleksibilitet të nevojshëm, dhe nëse do të inkorporohen këto propozime besojmë se drejtësia do të jetë jo vetëm e shpejtë, më e besueshme por edhe më cilësore se që ka qenë deri më tani”, u shpreh Hyseni.
Kryetari Hyseni me këtë rast shtoi se në takim me ministren gjetën një konsensus të plotë për dërgimin e përfaqësuesit të gjykatës në kuadër të komisioneve përkatësie, i cili do t’i reflektojë në mënyrë zyrtare pozicionet e gjykatës rreth amandamentimeve që duhet të ndodhin, dhe Kuvendi do t’i aprovoj ligjet me këto ndryshime, me të vetmin qëllim që gjyqësia dhe drejtësia të jetë shumë më efikase se që ka qenë deri më tani.
Në anën tjetër ministrja e Drejtësisë znj. Dhurata Hoxha, tha se vizitën e saj po e realizon me qëllim që të njoftohet për së afërmi me kushtet në të cilat punon kjo gjykatë dhe gjithashtu ta njoftoj kryetarin për mbështetjen e fuqishme në punën e tyre që po e demonstrojnë. “Realizimi i kësaj vizite është bërë me qëllim që ta informoj kryetarin se me procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit presim kontributin e tyre që me të vërtet të bëjmë reforma të thella, t’a fuqizojmë ligjin por gjithashtu të bartim edhe mesazhin tek qytetarët e vendit që të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, askush nuk do të jetë mbi ligjin. Diskutuam edhe për grupin punues për plotësim ndryshimin për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale si dhe një sërë ligjesh të tjera, u kamë kërkuar por edhe tani shfrytëzova rastin të kërkoj që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këto grupe punuese, sepse është shumë me rëndësi që gjykatat themelore janë ata të cilat ballafaqohen në radhë të parë me kërkesat e qytetarëve me zbatimin e ligjit në praktik, andaj është shumë e nevojshme që gjykatat themelore ta kenë dhe ta japin kontributin e tyre në plotësim ndryshimin e këtyre ligjeve”, tha ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha me këtë rast theksoi se rishikimi funksional i sundimit të ligjit është një reformë gjithëpërfshirëse, e cila reformë është duke u barë për herë të parë në Republikën e Kosovës. “Kjo reformë besojë që do të ngrit efikasitetin qoftë në hartimin e ligjeve, pra do të ketë komponentën e rishikimit të ligjeve, legjislacionit në fuqi, do të ketë komponentën e rishikimit të institucioneve pra mekanizmave të institucioneve në sektorin e ligjit, se sa mirë funksionojnë ato çka mund të bëjmë që të rrisim më tepër efikasitetin në këto institucione si dhe për fund komponenta tjetër e rishikimit funksional është edhe hartimi i strategjisë së sektorit të sundimit të ligjit e cila strategji në përpikëri do të na tregojë se ku janë zbrazëtirat dhe ku janë rastet që ne ta fuqizojmë sundimin e ligjit edhe më tutje”.
Gjatë këtij takimi, u zhvillua debat produktiv rreth fuqizimit të sundimit të ligjit, ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies.