Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt të evidentuar si PP/I.nr.41/17 të datës 6 mars 2017, për caktimin e masës së paraburgimit prej një (1) muaji, ndaj të pandehurit B. M dhe ndërkaq ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin A.M. I pandehuri B.M dhe A.M dyshohen se me datë 20.02.2017, pas një mosmarrëveshje për një kontest pronësor kanë përdorur armën mjetin e rrezikshëm duke shtënë në ajër dy herë.
Me këto veprime i pandehuri B.M. dhe A.M dyshohet se kanë kryer veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 paragrafi 2 të KPRK-së, dhe për këtë gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.M, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragraf 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, dukë filluar nga data e arrestimit 20.02.2017, dhe do të zgjas deri më 19.03.2017.
Ndërkaq për të pandehurin A.M, ka refuzuar kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.3 të KPPRK-së, meqë ndaj të pandehurit përpos dyshimit të bazuar nuk plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës si në kërkesën e prokurorisë.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.