12 (dymbëdhjetë) vite burgim për veprën penale grabitje

12 (dymbëdhjetë) vite burgim për veprën penale grabitje

Kryetari i trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, të enjten 13 gusht 2015, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurve L.S, K. S, A. T dhe D. Q, të cilët u shpallën fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje grabitje nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 si dhe veprën penale të kryer veç e veç, ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal të republikës së Kosovës dhe për këtë u gjykuan me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vite dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1.600 euro.

Të pandehurit L. S dhe K.S u shpallën fajtor dhe u gjykuan secili veç e veç me nga 4 (katër) vite burg, sepse në bashkëkryerje më 5 korrik 2015, në lagjen “Sherret”, në Ferizaj, me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që pasi që të njëjtit më parë kanë bërë planin se si të kryejnë veprën penale të grabitjes, me veturën “Alfa Romeo”, kanë shkuar afër shtëpisë së të dëmtuarit, i pandehuri i parë përmes dritares së banjës ka depërtuar brenda, kurse derën e hyrjes e ka hapur me kaçavidë ku ka hyrë edhe i pandehuri i dytë, kanë shkuar në dhomë ku kanë qenë duke fjetur të dëmtuarit M.A dhe F.A, i pandehuri i parë vendos kaçavidën në qafë M.A dhe nën kërcënimin e kanosjes serioze, kërkon para dhe ari nga ai dhe nga xhepi iu merr 120 euro, kurse i pandehuri i dytë me një dorë ka mbajtur shufrën metalike, kurse me dorën tjetër ja ka mbyllur gojën të dëmtuarës F. A duke e kërcënuar që mos të lëviz, ku i pandehuri i parë shkon në katin e dytë dhe  në njërën nga dhomat ku ka qenë duke fjetur N.A dhe nga çanta i merr 500 euro, kurse i pandehuri i dytë merr telefonin “Iphone 4” dhe të njëjtit largohen në drejtim të panjohur me të cilën në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitje nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.  Të pandehurve u është vazhduar paraburgimi deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e datës 13 gusht 2015.

Të pandehurat D.Q dhe A.T u shpall fajtor dhe iu shqiptua dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, për shkak veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 he nenin 33 të KPRK-së, se me datën 5 korrik në lagjen “Sherret”, në Ferizaj, ju kanë ndihmuar të pandehurve L.S dhge K.S në kryerjen e veprës penale të grabitjes, në atë mënyrë që e pandehura e parë paraprakisht i ka njoftuar të pandehurit se afër shtëpisë së saj gjendet një shtëpi ku aty jetojnë vetëm dy persona, kurse anëtarët tjerë gjenden jashtë Kosovës dhe të njëjtit i ka dërguar deri te kjo shtëpi, kurse e pandehura A.T ka qëndruar në veturë duke bërë roje deri sa është kryer grabitja, kurse të pandehurit kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit dhe kanë kryer grabitjen. Të pandehurave u është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe dënimin do ta vuajnë pasi aktgjykimi të merr formën e prerë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.