Caktohet masa e paraburgimit ndaj oficerit policor F. M. për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe marrja e ryshfetit

Caktohet masa e paraburgimit ndaj oficerit policor F. M. për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe marrja e ryshfetit

Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit të evidentuar si: PP/I.nr.144/15, të datës 27 shtator 2015, në çështjen penale kundër të pandehurit F. M nga Komuna e Kaçanikut, oficer policor në Stacionin Policor Hani Elezit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nën paragrafi 2.1 si dhe të veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të KPRK-së, ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji ndaj të pandehurit, nga data e arrestimit 26 shtator 2015 dhe do të zgjasë deri më 25 tetor 2015.

Pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Masa e paraburgimit u është caktuar konform nenin 187 par.1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së për shkak të dyshimit të bazuar se i  pandehuri ka kryer veprat penale të lartë shënuar.

Po ashtu me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.