Lirohen nga akuza gjashtë (6) të pandehur për mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, keqpërdorim i pozitës zyrtare si dhe marrje – dhënie ryshfeti

Lirohen nga akuza gjashtë (6) të pandehur për mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, keqpërdorim i pozitës zyrtare si dhe marrje – dhënie ryshfeti

Kryetari i trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, të martën 20 tetor 2015, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurve S.H dhe H. Rr nga nga Komuna e Gjilanit, të cilët në bazë të nenit 364 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPK-së, janë liruar nga akuza, meqë është konstatuar se veprimet e të pandehurve për të cilat akuzohen se i kanë kryer, nuk përbejnë vepër penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 të KPK-së. Ndërkaq sa i përket veprës penale falsifikimi i dokumentit zyrtar si dhe veprës penale dhënia e ryshfetit, kryetari i trupit gjykues ka refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit absolut, andaj edhe është pushuar procedura penale ndaj të njëjtëve.

Sa i përket të pandehurve I. B nga Komuna e Gjilanit dhe N.B nga Komuna e Istogut, trupi gjykues i ka liruar nga akuza për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit zyrtar nga neni 422 paragrafi  1 lidhur me nenin 31 të KPK-së si dhe veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 343 paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të KPK-së, meqë nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Ndërkaq të pandehurit B.M S.U dhe Sh.Q të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së, trupi gjykues ka refuzuar akuzën, me që prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.