Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj B. L, për veprën penale të narkotikëve

Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj B. L, për veprën penale të narkotikëve

Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit të evidentuar si: PP/I.nr.28/16, të datës 23 mars 2016, në çështjen penale kundër të pandehurit B. L shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës nga fshati Ivajë – Komuna Kaçanikut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka refuzuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit, nga data 22.03.2016 deri më 21.04.2016.

I pandehuri sipas aktvendimit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak detyrohet që të qëndroj në shtëpinë e tij dhe përjashtimisht nga Gjykata mund të lejojë që të pandehurin që për kohë të caktuar të largohet nga shtëpia ku mbahet arresti shtëpiak kur kjo është e domosdoshme. Ndërkaq zbatimin e kësaj mase do të mbikëqyret nga zyrtarët policor të Stacionit Policor në Kaçanik.

Pas vlerësimit të t gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Masa e paraburgimit është caktuar konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1  të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Po ashtu me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.