Caktohet masa e dorëzanisë në shumë prej dhjetëmijë (10.000) € ndaj V. D, për veprën penale të narkotikëve

Caktohet masa e dorëzanisë në shumë prej dhjetëmijë (10.000) € ndaj V. D, për veprën penale të narkotikëve

Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit të evidentuar si: PP/I.nr.997/12, të datës 1 prill 2016, në çështjen penale kundër të pandehurit V. D shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës nga Komuna e Deçanit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotrope nga neni 229 paragrafi 4 nën paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës, të hënën më 4 prill 2016, ka refuzuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq ka caktuar masën e dorëzanisë në shumë prej dhjetëmijë (10.000) € ndaj të pandehurit V.D.

Pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së dorëzanisë ndaj të pandehurit, ndërkaq nëse i pandehuri nuk i përgjigjet ftesave të Gjykatës, mjetet e caktuara në dorëzani do të derdhen në fondin për kompensimin e viktimave, përkatësisht në buxhetin e shtetit dhe të njëjtit mund t’i caktohet paraburgimi. Gjyqtari i procedurës paraprake me aktvendimin për caktimin e masës së dorëzanisë ka pranuar premtimin e të pandehurit se nuk do të braktisë vendqëndrimin dhe njëkohësisht i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit.

Masa e dorëzanisë është caktuar konform nenit 176 dhe 180 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Po ashtu me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.