Katërdhjetëedy (42) vite burgim, ndaj shtatë (7) të akuzuarve për veprat penale të terrorizmit

Katërdhjetëedy (42) vite burgim, ndaj shtatë (7) të akuzuarve për veprat penale të terrorizmit

Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premten 20 maj 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit Z.Q shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës, i cilit në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të evidentuar si: PPS.nr.39/2014 të datës 23.02.2015, akuzohet se ka kryer dy vepra penale dhe atë rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, i’u shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vite.

I pandehuri I.B i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzohet se ka kryer tre vepra penale, rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas nenit 374 paragrafi 2 ë KPRK-së, i cili gjatë shqyrtimeve gjyqësore ka pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat e ngarkon akuza, dhe i’u shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tetë (8) vite..

I pandehuri S.T i akuzuar  për veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, i’u shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej shtatë (7) vite e gjashtë (6) muaj.

I pandehurit B.B i akuzuar për veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, pas pranimit të fajësisë gjatë shqyrtimeve gjyqësore, i’u shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 4 vite e gjashtë (6) muaj.

I pandehuri J.K, i akuzuar për veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, pas pranimit të fajësisë gjatë shqyrtimeve gjyqësore për veprat penale i ngarkuar sipas aktakuzës së prokurorit special, i’u shqiptua dënim me burg në kohëzgjatje prej katër (4) vite.

I pandehuri L.K i akuzuar për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, pas pranimit të fajësisë gjatë shqyrtimeve gjyqësore,, i‘u shqiptua dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vite  .                         

I pandehuri I.K i akuzuar për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së i’u shqiptua dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesë (5) vite.                                 

Të pandehurit Z. Q, I. B, S. T, B. B dhe J. K, akuzohen se me dashje kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale, gjatë vitit 2011 – 2014, dhe me këtë kanë kryer veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK.

Të pandehurit I. B, S. T, B.B, L. K dhe I. K, akuzohen se: me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë marr vesh që të shkojnë në luftë në Siri dhe të i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste ISIS, kështu që të pandehurit nga Aeroporti i Prishtinës kanë udhëtuar në Stamboll pastaj në Hatay të Turqisë e pastaj përmes lidhjeve të krijuara  kanë kaluar kufirin Turqi-Siri, të cilët ndërmjet periudhës 2012 – 2014, kanë qenë në luftë në SIri me qëllim që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë Siriane që të lënë pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe pastaj të krijojnë shtetin islamik Iraku dhe Levant, andaj me këtë kanë kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist nga neni 143 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK. 

I pandehuri Z. Q, akuzohet se: duke keqpërdorur pozitën e tij si Imam në Xhamin “ El-Kuddus”  në Gjilan, publikisht ka nxit dhe përhap urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, në atë mënyrë që në një video incizim të postuar në vitin 2013 në You Tube ka thënë  “Gjaku i kufarëve (mosbesimtarëve) është pija më e mirë për ne”, dhe me këtë ka kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK. 

I pandehuri I. B, akuzohet se: nga janarit i vitit 2014 ka mbajtur në pronësi pa leje valide një pistoletë, e cila me me rastin e bastisjes e shtëpisë është gjetur nga policia, me këtë ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK.

Ndaj te pandehurve të shpallur fajtor në kuptim të nenit 69 paragrafit 1 të KPRK-së, konfiskohen në mënyrë të përhershme sendet e përdorura për kryerjen e veprave penale apo sendet te cilat janë rezultat i kryerjes së veprave penale, telefonat celular, thika, jelekë ushtarak etj. si dhe ne pajtim me nenin 374 paragrafi 3 të KPRK-se konfiskohet në mënyrë të përhershme arma e sekuestruar një revole Ekol Special 99 e kalib. 9 mm me nr.serik V- 0741854.

Ndaj të pandehurve Z.Q, S.T, I.K, dhe I.B sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, në bazë të dispozitës së nenit 367 paragrafi 1 të KPPRK-së, i’u vazhdohet paraburgim deri sa aktgjykimi të marr formën e prerë

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.