Dy (2) vite burg për transport të lëndëve narkotike

Dy (2) vite burg për transport të lëndëve narkotike

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot e hënë 05 dhjetor 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit S. N, i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe për këtë u gjykua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vite, si dhe dënim me gjobë në shumë prej tetëqind (800) euro.

I pandehuri S.N, i cili gjatë shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën e ngarkon aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, u shpall fajtor dhe u gjykua me dënim burgimi dhe me gjobë, sepse në shtator të këtij viti, në pikën kufitar Hani Elezit, gjatë kontrollit të veturës së tij nga ana e policisë, në dy karriget e para të automjetit i janë gjetur dhjetë qese me substancë të dyshuar narkotike ngjyrë e gjelbër të llojit Marihuan Tetrahidrokanabinol (THC), me peshë neto të përgjithshme 5365.4 (5 kg, e 365.4 gr), të cilën substancë e kishte marrë në Republikën e Shqipërisë bashkë me dy persona të cilët kanë udhëtuar nëpër Kosovës për në Republikën e Maqedonisë, ndërkaq qëllimi i tij ka qenë që të transportoj këtë substancë narkotike në shtetin e Turqisë.

Trupi gjykues konform nenit 273 paragrafi 5, konfiskoi në mënyrë të përhershme substancën narkotike, automjetin e tipit Citroen në të cilin është gjetur substanca narkotike, çelsin, lejen e qarkullimit si dhe sigurimin kufitar.

Konform nenit 367 paragrafi 3 të KPRK-së të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi të marr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me aktgjykim.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.