Refuzohet akuza ndaj të pandehurit E.K, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Refuzohet akuza ndaj të pandehurit E.K, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, më 22 dhjetor 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit E.K, i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale të kryer në vazhdim keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimeve gjyqësore, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave dhe fjalëve përfundimtare, ndaj të akuzuarit E.K për veprën penale të kryer në vazhdim keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ka refuzuar aktakuzën pas tërheqjes së prokurorit të çështjes.

Ndaj të pandehurit E.K, ishte ngritur aktakuzë sipas dyshimit të bazuar se i njëjti në shtator të vitit 2014 në Kaçanik si person zyrtar në Drejtorinë  Komunale të Arsimit, duke shfrytëzuar pozitën e tij ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lidhur kontratë pune për kohë të caktuar me F.L, ne detyrat e punës si mësimdhënës i mësimit klasor në një shkollë të Kaçanikut, pa konkurs publik dhe pa përgatitje profesionale. Ndërkaq në të njëjtin muaj të vitit 2014, i pandehuri E.K po ashtu si person zyrtar, ka lidhur kontratë punë për kohë të caktuar me A.D, në detyrat e punës si mësimdhënëse, me klasë të kombinuara në një shkollë të Kaçanikut, pa konkurs publik dhe pa përgatitje profesionale

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa iu drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.