Ferizaj – 3 prill 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni
Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së
paraburgimit, ndaj të pandehurit M.D. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të
bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 185 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 të Kodit
Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri dyshohet se më 2 prill 2019 në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, pas përfundimit të seancës gjyqësore në të cilën ishte në cilësinë e të dëmtuarit, me qëllim frikësimi ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Prokurorin e shtetit Valdet Avdiu, i cili posa largohet nga salla e gjykimit dhe del në korridor në atë moment i pandehuri fillimisht fillon ta ofendoj
gjykatën dhe prokurorinë, prokurori ia tërheq vërejtjen për sjelljen e tij, ndërsa i njëjti vazhdon me sjellje dhe fjalë arrogante, prokurori vazhdon deri te shkallët por i pandehuri përsëri i është ofruar duke vazhduar të ngjitet shkallëve për katin e tretë, atëherë i njëjti fillon ta shaj dhe ofendoj, i dëmtuari – prokurori përsëri ia tërheq vërejtjen se mundet të arrestohet dhe në atë moment i pandehuri i drejtohet me fjalë kërcënuese dhe vërsulet në drejtim të tij duke vrapuar, i dëmtuari vrapon për në katin e tretë dhe me të hyrë në korridor e mbyll derën e korridorit me çelës me qëllim të mbrohet nga i pandehuri, i pandehuri tenton ta hap me forcë derën por nuk arrin , me çka tek i dëmtuari – prokurori i shtetit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.