Ferizaj – 15 maj 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shantazhi nga neni 329 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri A.K, dyshohet se më 13 maj 2019 në Ferizaj, me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, fillimisht ka kanosur të dëmtuarën A.I., me vendbanim të përkohshëm në Gjermani, ku pasi e njëjta i kishte dërguar disa fotografi intime të bëra më parë përmes rrjetit social, i pandehuri nga e dëmtuara ka kërkuar një shumë parash në vlerë prej 100 euro, në të kundërtën do të publikoj fotot, duke i paraqitur edhe dy kushte, njëri që posa të vijë në Kosovë të ketë marrëdhënie me të pandehurin dhe kushti i dytë që menjëherë të ia dërgojë 100 euro. E dëmtuara ka kërkuar nga motra e saj të ia jap këto para, të cilat edhe ia ka dhënë të pandehurit, i cili derisa i ka marr është arrestuar nga policia.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të dyshuar, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.