Ferizaj – 9 gusht 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit B.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri dyshohet se Ekziston dyshimi i bazuar se më 08.08.2019 në Ferizaj, ka poseduar pa autorizim, me qëllim shitjeje dhe shpërndarjeje, substancë të dyshuar narkotike, në atë mënyrë që policia ka ndalur në rrugë të pandehurin B.I. dhe gjatë kontrollit në trupin e tij janë gjetur një pako cigare me shtatëmbëdhjetë (17) paketime të letrës, të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë 4.48 gram, si dhe 271.80 euro, gjithashtu pas kontrollit në banesën e tij, janë gjetur të fshehura edhe pesëdhjetë (50) paketime të letrës të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë 13 gram, kurse një paketim është gjetur në kuzhinë me peshë 0.12 gram dhe një telefon ngjyrë e zezë, të cilat pastaj janë sekuestruar nga policia.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit B.I., e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitës së nenit 187 të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.