Ferizaj 12 tetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.I. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3, nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal – Fitore Krivanjeva Daci, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri B.I. ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë provat e veprës penale, do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitaren (nënën e tij) dhe të dëmtuarën (motrën e tij) për faktin se të gjithë jetojnë në të njëjtën shtëpi.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.