Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), me mbështetjen e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, do të shënojë një tjetër moment të rëndësishëm të inovacionit në drejtësi duke lansuar një funksion të ri në faqen e internetit të KGJK-së – veglën e Kërkimit të Statusit të Lëndës.
Në epokën e sotme të informacionit, në të cilën kudo ka qasje në internet, është thelbësore që të gjitha palët në procedurë gjyqësore të mund të kenë qasje të lehtë dhe të shpejtë në informacionet për lëndën e tyre. Deri më tani, përdoruesit e gjykatave, palët dhe avokatët janë përballur me pengesa për qasjen në informata mbi statusin e një lënde të caktuar.
Me numër të lëndës dhe me një pajisje elektronike, qytetarët e Kosovës janë vetëm një klik larg që të mësojnë për statusin e lëndës së tyre.
Ky funksion i ri dhe që përdoret lehtë, u mundëson përdoruesve të gjykatës, palëve në procedurë dhe avokatëve që të kontrollojnë statusin e një lënde gjyqësore dhe veprimet e mëhershme për atë lëndë. Kjo e revolucionarizon transparencën dhe qasjen në gjyqësorin e Kosovës, duke e bërë atë të krahasueshëm me sistemet e zhvilluara gjyqësore të demokracive të përparuara dhe heq shumë pengesa për qasjen në informacione për lëndët. Funksioni i faqes së internetit mbështetet në të dhënat e gjeneruara nga baza e të dhënave e Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe paraqet një bashkëpunim thelbësor të ekipeve dhe integrimin e sistemit nga i cili do të përfitojnë qytetarët e Kosovës.
Për më tepër, oraret e seancave gjyqësore në të gjitha gjykatat do të freskohen duke marrë informacion nga baza e të dhënave SMIL, duke përditësuar automatikisht orarin e gjykatave dhe duke kursyer kohë të vlefshme për qindra pjesëtarë të stafit të gjykatës të cilët, deri më tani, duhej të regjistronin oraret e seancave gjyqësore në dy sisteme.
Integrimi i këtyre sistemeve dhe lansimi i veglës së kërkimit të statusit të lëndës është pjesë e një serie të funksioneve të faqes së internetit të KGJK-së të zhvilluara me mbështetjen e USAID-it. Më e rëndësishmja, inovacionet si këto i sjellin gjykatat më afër njerëzve duke adresuar nevojat e tyre për drejtësi.