Ferizaj, 4 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit K.H shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet për veprën penale grabitja në ndihmë nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin e shpalli fajtor për veprën penale grabitja në ndihmë nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me nenin 33 të KPRK-së i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet, për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, ndërsa konform dispozitave të KPRK-së gjykata të akuzuarin e gjykon me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro
I pandehuri K.H akuzohet se në shtator 2019, si anëtar i grupit të armatosur, me dashje ka ndihmuar anëtarët tjerë të grupit dhe tre të pandehurve tani të panjohur, në kryerjen e veprës penale të grabitjes, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake për kryerjen e veprës penale të grabitjes në “Raiffeisen“ Bankë në Shtime, iu ka premtuar paraprakisht se do ti fsheh provat e veprës penale, kryesit si dhe mjetet e përdorura për kryerjen e kësaj vepre penale. I pandehuri A.K i cili gjendet në arrati, së bashku me tre të pandehurit tani të panjohur, të armatosur me armë automatike me maska të vendosura në kokë, kanë shkuar në Shtime tek filiali i Raiffeisen Bankë, me ç’rast me një çekanë kanë thyer derën e hyrjes së bankës dhe kanë depërtuar brenda, pastaj me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e punëtorëve të bankës me anë të armëve, kanë përvetësuar 2.540 euro dhe 290 franga zvicerane pronë të bankës, pastaj janë larguar nga objekti i bankës dhe kanë shtënë disa herë me pushkë automatike në mënyrë të pakontrolluar duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, të njëjtit kanë ikur në drejtim të fshatit Jezercë dhe kur arrin tek një restorant kanë shkrepur edhe disa fishekë në drejtim të policëve që ishin në ndjekje të tyre, më pas kanë braktisur veturën duke e djegur tërësisht.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.