Ferizaj 28 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.V. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake të Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, duke vlerësuar se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprave penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarës dhe të dëshmitarëve tjerë, të cilët ende nuk janë dëgjuar nga prokuroria e as nga policia, dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.