Ferizaj, 3 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rënda, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.N dhe N.N. shtetas të Republikës së Kosovës, të cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme nga neni 172 lidhur me nenin 31 dhe 12 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurit i shpalli fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme nga neni 172 lidhur me nenin 31 dhe 12 paragrafi 3 të KPRK-së për të cilën të pandehurit A.N i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti, ndërsa të pandehurit N.N, dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet e tre (3) muaj
Të pandehurit akuzohen se më 7 gusht 2019, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F.G, i cili paraprakisht me A.T., kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N.N fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë që të largohen nga shtëpia me ç’rast të pandehurit me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së tyre, e ndjekin deri në rrugën kryesore, dhe pas diku 300 metra arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me mjetin që arrin t’ia marrin nga dora tani të ndjerit thikë, e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F.G mbetet i vdekur në vend.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.